Kombëtarja e Kosovës mposhtë Gjibraltarin 6-0

Kombëtarja e Kosovës mposhtë Gjibraltarin 6-0

Kombëtarja e Kosovës në kategorinë e femrave ka dhuruar një spektakël të vërtetë futbolli në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke mposhtur Gjibraltarin me rezultatin e thellë 6:0 në nisje të kualifikueseve për Botërorin 2027.

Ndeshja u dominua totalisht nga Kosova, ku protagonistja kryesore ishte Ereleta Memeti me një gol dhe tre asistime vendimtare. Seria e golave nisi që në minutën e 4-t me Kaltrina Biqkajn, për të vijuar me Sara Sahitin, Modesta Ukën dhe dopietën e Gentiana Fetajt, ndërsa mbrojtja e Gjibraltarit ishte e pafuqishme përballë presionit të vazhdueshëm të sulmit dardan.

Ky triumf i rëndësishëm është komplimentuar menjëherë nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, i cili përmes një postimi u shpreh: “Urime Dardaneve tona! Fitorja bindëse ndaj Gjibraltarit është rezultat i punës së vazhdueshme dhe besimit për sukses.”

Ademi përgëzoi lojtaret dhe stafin teknik për seriozitetin e treguar, duke theksuar se kjo fitore shërben si një motiv i madh për sfidën e radhës kundër Kroacisë.

Me këtë fitore 6:0, Kosova dëshmon unitet dhe cilësi, duke u pozicionuar si një forcë pretendente në Ligën C për rrugëtimin drejt Kupës së Botës.

KosovaPress

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë